
Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli më datë 30.06.2025, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 7/2023, datë 14.02.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 605, datë 21.12.2022, për subjektin e rivlerësimit Armida Hamiti (Moçka).
Kryesuesja e trupit gjykues bëri me dije se neni 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 199 i Kodit të Procedurës Civile ka përcaktuar kalimin e kompetencave nga Komisioneri Publik tek Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe informoi se më datë 27.06.2025, në rrugë shkresore, z. Altin Dumani kishte bërë me dije se për arsye objektive, për shkak të një vizite zyrtare jashtë vendit, e kishte të pamundur të merrte pjesë në seancën e sotme dhe kishte kërkuar shtyrjen e saj në një datë tjetër. Kjo kërkesë u vlerësua e ligjshme nga subjekti i rivlerësimit, znj. Armida Hamiti (Moçka), e cila e la vendimmarrjen në çmim të trupit gjykues.
Pasi dëgjoi qëndrimin e subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 04.07.2025, ora 9:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë.