Kolegji i Posaçëm i Apelimit çeli sot, më datë 03.07.2025, ora 15:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 8/2023, datë 24.02.2023 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 600, datë 19.12.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Robert Kote.

Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës gjyqësore konstatoi prezencën e subjektit të rivlerësimit dhe mosprezencën e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Klodian Braho, dhe relatoi si vijon:

Në seancën e datës 18 qershor 2025, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë vendimin përfundimtar lidhur me çështjen.

Gjatë bisedimeve dhe në funksion të tyre, trupi gjykues u ndal për të analizuar kërkimin përfundimtar të ankuesit, përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe çmoi me rëndësi qartësimin nëpërmjet pyetjeve që do të duhet t’i bëheshin atij në kënndvështrimin procedural lidhur me kërkimin përfundimtar të përcjellë në Kolegj. Për këtë arsye, në seancën në dhomë këshillimi në datën 1.07.2025, trupi gjykues revokoi vendimin e ndërmjetëm të marrë në seancën e datës 18 qershor 2025 për mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe tërheqjen në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit lidhur me çështjen.

Në kushtet kur çmoi se qartësimi për sa më sipër do të duhet të bëhej nëpërmjet pyetjeve, për shkak të mungesës në seancën e sotme të përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe pamundësisë për të kryer këtë veprim procedural, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi që seanca e sotme të shtyhet për në datën 9.07.2025, ora 14:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.