Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 12 shkurt 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.

Gjatë seancës së sotme, trupi gjykues i vuri në dispozicion subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik një analizë financiare për periudhën kohore 2004-2016 të përgatitur nga Njësia e Shërbimit Ligjor, pas rivlerësimit që kjo e fundit i bëri situatës financiare, bazuar mbi provat e reja të marra deri në këtë fazë të gjykimit.

Për t’i dhënë kohën e nevojshme subjektit të rivlerësimit të njihet me analizën financiare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e martë, më datë 05.03.2019, ora 12.00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.