Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 20 mars 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.14/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.47, datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Astrit Faqolli.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit paraqiti pranë trupit gjykues disa akte të reja shkresore në funksion të shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes.

Duke i qëndruar shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik sqaroi se nuk kërkon riçelje të hetimit, por shkarkim të subjektit të rivlerësimit në bazë të provave ekzistuese. Rrjedhimisht, Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues të mos administrojë në cilësinë e provës, aktet e reja shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, duke vlerësuar se këto akte janë të panevojshme dhe nuk kanë vlerë provuese.

Trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen e provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, me përjashtim të atyre që nuk plotësojnë kushtet për t’u paraqitur si provë nga ana formale.

Trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes, duke administruar aktet e ardhura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në fashikullin e gjykimit dhe aktet e reja që u morën me vendim të ndërmjetëm në seancën e sotme gjyqësore.

Për t’i lënë kohën e nevojshme subjektit të rivlerësimit për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për ditën e nesërme, më datë 21.03.2019, ora 09.30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.