Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 2 maj 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues ˗ pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik, i cili si përfundim kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj, si dhe konkluzionet përfundimtare të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj, i cili si përfundim kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si një vendim i drejtë, i mbështetur në fakte e prova dhe i bazuar në ligj e Kushtetutë ˗ deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe vendosi të shpallë vendimin përfundimtar ditën e mërkurë, më datë 22.05.2019, ora 15:00. Trupi gjykues sqaroi se kjo datë për shpalljen e vendimit është caktuar për arsye objektive, që lidhen me formimin e trupit gjykues.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.