Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17.06.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.29/2018, datë 05.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.
Gjatë seancës gjyqësore, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit mbi kriterin e aftësive profesionale, duke i kërkuar Kolegjit të hartojë nje metodologji, nëpërmjet së cilës, me indikatorë objektivë të matshëm, të kryejë një rivlerësim profesional të plotë, të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit, z.Medja parashtroi argumentet e tij në lidhje me kundërankimin ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, duke e cilësuar atë në kundërshtim me ligjin.
Subjekti i rivlerësimit, i cili deklaroi se kërkesa e Komisionerit Publik për kryerjen e procesit të rivlerësimit në drejtim të kriterit professional, bazuar në një metodologji specifike, bie ndesh me parimet kushtetuese, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit lënien në fuqi të vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Për shkak të kompleksitetit të çështjes, si dhe për arsye objektive, për shkak të zhvillimit të një séance tjetër gjyqësore të planifikuar, seanca e subjektit të rivlerësimit Gentian Medja u shty për në datën 09.07.2019, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.