Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17 qershor 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alma Brati.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, trupi gjykues rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të përcaktuar nivelin e provueshmërisë të të gjitha akteve të depozituara, në këndvështrim të nenit 32/2 dhe nenit 52/2 të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, duke deklaruar se do të shprehet lidhur me to në vendimin përfundimtar, pasi t’i analizojë në detaje.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se ka vënë re njëanshmëri të trupit gjykues gjatë procesit gjyqësor, rrjedhimisht, do të depozitojë një kërkesë për përjashtimin e anëtarëve të tij. Kryesuesja e seancës u shpreh se deri në momentin që kjo kërkesë të zyrtarizohet në formën e kërkuar nga ligji, nuk do të pezullohet, por do të vijojë shqyrtimi i çështjes, bazuar në nenin 75, paragrafi i fundit, i Kodit të Procedurës Civile.
Lidhur me analizën financiare të kryer nga Kolegji, subjekti i rivlerësimit deklaroi se përveçse ka pasaktësi, kjo analizë tejkalon edhe ankimin e Komisionerit Publik, ndërkohë që ky i fundit, vlerësoi se rezultatet e kësaj analize evidentojnë mungesën e burimit të ligjshëm të të ardhurave të subjektit të rivlerësimit.
Trupi gjykues përfundoi shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët të parashtrojnë konkluzionet përfundimtare rreth çështjes në gjykim, në seancën që do të zhvillohet më datë 02.07.2019, ora 13.30.
Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.