Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 25 qershor 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.23/2018, datë 19.10.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 46, datë 24.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, ndërsa subjekti i rivlerësimit, parashtroi kundërshtimet e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe i kërkoi trupit gjykues të administrojë në cilësinë e provës, disa akte që i depozitoi pranë trupit gjykues. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit pretendoi se Komisioneri Publik kishte shtuar elemente të reja gjatë parashtresës së shkaqeve të ankimit.

Trupi gjykues i kërkoi subjektit të rivlerësimit të identifikojë këto elemente të reja të pretenduar dhe të paraqesë qëndrimin e tij lidhur me to, brenda periudhës kohore që do t’i vihet në dispozicion Komisionerit Publik për njohjen me aktet e depozituara dhe kryerjen e një vlerësimi mbi to.

Trupi gjykues vendosi që seanca pasuese të zhvillohet më datë 10 korrik 2019, ora 9.30.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.