Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Luan Daci anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 13/2018, datë 07.09.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 32, datë 05.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Alma Brati.
Pas analizës financiare të kryer në Kolegj, trupi gjykues konkludoi se subjekti i rivlerësimit nuk justifikoi me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e deklaruara për periudhën 2007 – 2016, duke përfshirë në përllogaritje të gjitha kërkimet e Komisionerit Publik.
Në përfundim, bazuar në konkluzionet e mësipërme, në mbështetje të nenit D, pikat 1, 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës, të neneve 33, pika 5, germa “b” dhe 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016, vlerëson se vendimi nr.32, datë 05.07.2018, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet ndryshuar.
Për këto arsye, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, mbështetur në faktet e provuara në gjykim dhe në ligjin e zbatueshëm për çështjen, sipas nenit 66 pika 1, germa “b” të ligjit nr.84/2016, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Alma Brati, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
- Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 09.07.2019.