Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 09.09.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.29/2018, datë 05.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Gentian Medja.
Gjatë kësaj seance gjyqësore, palët paraqitën konkluzionet e tyre përfundimtare.
Sipas një vlerësimi tërësor, bazuar në të gjitha provat e reja të administruara gjatë shqyrtimit dhe hetimit gjyqësor të çështjes, Komisioneri Publik arriti në konkluzionin se subjekti i rivlerësimit rezulton të paraqesë një nivel kualifikues,sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale.
Komisioneri Publik i kërkoi trupit gjykues lënien në fuqi të vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke përfshirë në vendimin e arsyetuar, orientimin që gjatë vlerësimit të aftësive profesionale, Komisioni të bazohet edhe në metodologji specifike me indikatorë dhe nënindikatorë të parashikuar nga ligji.
Subjekti i rivlerësimit paraqiti kundërshtimet e tij mbi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 60, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 13.09.2019, ora 09.00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.