Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 20.09.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.33/2018, datë 12.11.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Besnik Muçi.
Gjatë parashtrimit të shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit gjendet në pamundësi financiare për të justifikuar me burime të ligjshme pasurinë, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë; rrjedhimisht Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 58, datë 01.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i konsideruar si të pabazuara në ligj e në prova dhe i kërkoi trupit gjykues çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të reja që i paraqiti gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Trupi gjykues vendosi të marrë si provë aktet e paraqitura në kuadër të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, duke i konsideruar të pranueshme nga pikëpamja formale, ndërkohë që vlera e tyre provuese do të analizohet në kuadër të marrjes së vendimit përfundimtar.
Trupi gjykues refuzoi marrjen si provë të disa akteve shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit që lidheshin me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, pasi konstatoi se këto akte tejkalonin shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik që lidhen vetëm me kriterin e pasurisë.
Përsa i përket një kërkese që bëri Komisioneri Publik për marrjen si provë të një informacioni të përcjellë nga DSIK pranë Komisionerit Publik më datë 16.11.2018, trupi gjykues vendosi që duke qenë se nuk është pjesë e ankimit, do ta shqyrtojë vetëm pasi të njihet me dokumentacionin dhe ta analizojë atë.
Kryesuesi i seancës deklaroi se deri në seancën e radhës trupi gjykues do të vlerësojë se deri në cilën shkallë do të marrë dijeni subjekti i rivlerësimit për këtë material që sipas Komisionerit Publik, pretendohet të jetë “sekret”. Po në këtë seancë, do të përcaktohet nga trupi gjykues nëse ky dokument do të merret ose jo si provë në gjykim.
Në kushtet kur Komisionerit Publik kërkoi kohë për t’u shprehur mbi vlerën provuese të provave të reja, për të cilat, subjekti i rivlerësimit kërkon të merren në gjykim nëpërmjet riçeljes së hetimit gjyqësor, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 1 tetor 2019, ora 12:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.