Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 03.10.2019, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.34/2018, datë 13.11.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 62, datë 03.08.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Artur Malaj.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore, Komisioneri Publik shprehu dakordësinë lidhur me rezultatet e analizës financiare të përgatitur nga Kolegji, ndërsa subjekti i rivlerësimit parashtroi kundërshtimet e tij lidhur me këtë analizë, duke e konsideruar të gabuar dhe të pabazuar në prova.
Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues marrjen si provë të disa akteve të reja, si dhe kryerjen e një analize të re financiare nga një ekspert kontabël i pavarur, për të mundësuar zhvillimin e një procesi në kushtet e paanësisë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e subjektit të rivlerësimit për marrjen e provave të reja, ndërsa rrëzoi kërkesën e tij për kryerjen e ekspertimit kontabël, duke e konsideruar të panevojshme, bazuar në nenin 49, pika 6, germa “a” të ligjit 84/2016.
Në përgjigje të kërkesës së Komisionerit Publik për një kohë të arsyeshme për t’u shprehur mbi vlerën provuese të provave në tërësi, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.10.2019, ora 11:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.