< 2022 >
January 27
  • 27
    27.January.Thursday

    Seancë publike

    10:00
    2022.01.27

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 27.01.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 13/2020, datë 01.06.2020 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 221, datë 10.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Anita Jella.

    Në vijim të seancës së datës 20.12.2022, trupi gjykues bëri me dije se lidhur me denoncimet e publikut, ka vendosur të hetojë lidhur me dy denoncime, për të cilat do të kërkojë informacion shtesë pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

    Komisioneri Publik deklaroi se denoncimet nuk përmbajnë rrethana apo shkaqe që mund të kenë nevojë për trajtim të mëtejshëm.

    Në këtë kuadër, subjekti i rivlerësimit, znj. Anita Jella përsëriti qëndrimin e saj, se pretendimet e ngritura në denoncimet e publikut janë të pavërteta dhe të pabazuara në ligj dhe në prova. Në mbështetje të këtij qëndrimi, subjekti i rivlerësimit znj. Anita Jella depozitoi disa akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.

    Relatorja e çështjes i drejtoi subjektit të rivlerësimit disa pyetje sqaruese lidhur me denoncimet e publikut.

    Në vijim, pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit dhe të konsiderojë të mbyllur hetimin lidhur me denoncimet.

    Kryesuesja e seancës bëri me dije se në pritje të përgjigjes nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, palët duhet të jenë të përgatitura për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në seancën e ardhshme që do të zhvillohet më datë 07.02.2022, ora 11:00.

    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.

    Njoftim vendimi

    13:00
    2022.01.27

    Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 12/2020, datë 04.03.2020, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 224, datë 20.12.2019, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Astrit Kalaja.

    Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

    1. Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 224, datë 20.12.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Astrit Kalaja.
    2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

    U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.01.2022