- 1515.March.Tuesday
Seancën publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.03.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 62/2019, datë 12.12.2019 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019.
Bazuar në nenin 45 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga dëshmitari në seancën paraardhëse.
Kryesuesi i seancës bëri me dije se bazuar në nenin 49, paragrafi i dhjetë, i ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vëzhguesja ndërkombëtare e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kishte depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit një gjetje, që ishte bërë pjesë e fashikullit të çështjes, i ishte përcjellë subjektit të rivlerësimit, znj. Dhurata Haveri dhe për të cilën, përfaqësuesja e saj ligjore mbajti qëndrim gjatë seancës së sotme.
Bazuar në nenin 47, të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” të ndryshuar, si dhe në nenin 49, pika 6, germat, “a”, “b”, “d” të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues vendosi të mos pranojë kërkesën e përfaqësueses ligjore për të pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara në tërësi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit prej periudhës tetor – dhjetor 2021.
Pasi subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke ftuar subjektin e rivlerësimit të paraqesë konkluzionet përfundimtare.
Subjekti i rivlerësimit, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019 dhe vijimin e procesit të rivlerësimit edhe për dy kriteret e tjera, atë të vlerësimit të figurës dhe të profesionalizimit; ose në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit znj. Dhurata Haveri.
Pasi dëgjoi kërkimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 15.03.2022, ora 9:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.62/2019, datë 12.12.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 197, datë 27.09.2019, që i përket subjektit të rivlerësimit Dhurata Haveri.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 15.03.2022.
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 15.03.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 3/2021, datë 30.04.2021, me ankues Bujar Memia, kundër vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia” dhe me subjekte të interesuar, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Ankuesi paraqiti dy kërkesa paraprake drejtuar Kolegjit:
- konstatimin e pavlefshmërisë absolute të pjesshme të vendimit të Kolegjit të Shqyrtimit Paraprak nr.3, datë 9.11. 2021 për njoftimin e gjykimit në seancë plenare publike, sa i përket përbërjes së trupit gjykues, të çështjes së Juridiksionit Disiplinor me nr. 3/2021, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
- pezullimin e gjykimit deri në ushtrimin e kontrollit të kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të togfjalëshit “për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të parashikuar në nenin 5, pika 3 të ligjit 84/2016 dhe nenin 6, pika 4 dhe nenin 104 të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Pasi subjektet e interesuara argumentuan qëndrimin e tyre për rrëzimin e kërkesave të paraqitura nga ankuesi, trupi gjykues, i konsultuar, vendosi: rrëzimin e kërkesës së parë, bazuar në nenet 133, 148/d pika 3 dhe 179/7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 5, pika 3, shkronja “b” të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, nenin 71, pika 3, të ligjit 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Sa i përket kërkesës së dytë, Kolegji çmoi se nuk gjendet në kushtet e nenit 145, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë si dhe në asnjë nga rastet e përcaktuara në nenin 297, të Kodit të Procedurës Civile, ndaj, vendosi gjithashtu, rrëzimin e saj.
Pasi u hap shqyrtimi gjyqësor i çështjes dhe gjyqtarja relatore paraqiti në mënyrë të përmbledhur ankimin e z. Bujar Memia, përfaqësuesi i tij ligjor paraqiti në mënyrë të detajuar kundërshtitë ndaj vendimit nr.81, datë 31.03.2021 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia”, si në aspektin procedural, ashtu edhe sa i përket themelit të çështjeve, mbi të cilat ky vendim është bazuar.
Për shkak të kohëzgjatjes së seancës, trupi gjykues vendosi ndërprerjen e saj, për ta vijuar më datë 07.04.2022, ora 9:00, me paraqitjen e parashtrimeve nga ankuesi Bujar Memia dhe nga subjektet e interesuara në këtë gjykim.
Seanca plenare publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.