< 2022 >
March 23
  • 23
    23.March.Wednesday

    Seancë publike

    10:00 -13:00
    2022.03.23

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 23.03.2022, ora 10:00, seancën plenare publike të çështjes (JD) 4/2021, datë 21.05.2021, me ankues Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr.92, datë 17.03.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me subjekte të interesuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD).

    Pas verifikimit të prezencës së palëve, gjatë së cilës u konstatua prezenca e avokatit, por jo e ankueses znj. Enkeleida Hoxha, kryesuesja e seancës bëri me dije se më datë 18 mars 2022, znj. Hoxha i kishte dërguar Kolegjit një kërkesë për shtyrje séance ose pezullim gjykimi me arsyetimin se i ishte refuzuar nga KLGJ-ja, vënia në dispozicion e disa akteve, sipas saj, të nevojshme për procesin e gjykimit në Kolegj.

    Përfaqësuesit e subjekteve të interesuar, Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) deklaruan se të gjitha dokumentet në funksion të këtij gjykimi, gjenden në dosjen e administruar nga Kolegji në fillim të procesit gjyqësor dhe se kërkesa e ankueses duhet të rrëzohet, pasi është e pabazuar në shkaqe të arsyeshme.

    Pasi u konsultua, Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesës me arsyetimin se nuk përmban shkaqe të arsyeshme për shtyrjen e seancës. Duke qenë se ankuesja ka dhënë pëlqimin që procesi gjyqësor në Kolegj mund të zhvillohet në prani dhe në mungesë të saj, trupi gjykues vendosi që procesi të vijojë në praninë e avokatit të znj. Enkeleida Hoxha, z. Ardian Visha.

    Pasi u çel shqyrtimi gjyqësor dhe pasi relatorja – njëkohësisht edhe kryesuesja e çështjes – prezantoi në mënyrë të përmbledhur shkaqet e ankimit, avokati paraqiti disa kërkesa procedurale, nëpërmjet së cilave kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor, marrjen e provave të reja dhe thirrjen e dëshmitarëve.

    Pasi përfaqësuesit e subjekteve të interesuara shprehën qëndrimin e tyre për rrëzimin e kërkesave dhe pasi trupi gjykues u tërhoq për konsultim, vendosi:

    • rrëzimin e kërkesës për thirrjen e dëshmitarëve, pasi nuk plotëson kërkesat për identitetin e tyre sipas nenit 231 të Kodit të Procedurës Civile. Gjithashtu, nga gjykata vlerësohet se thirrja e dëshmitarëve nuk është e nevojshme për sqarimin e fakteve në çështjen në shqyrtim, sipas nenit 41 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikën së Shqipërisë”, i ndryshuar.
    • rrëzimin e kërkesës për kërkimin e akteve nga IEVP-të dhe Shërbimi i Provës, pasi vlerësohet se këto akte nuk janë të nevojshme për shqyrtimin e çështjes sipas nenit 42, pika 1 e ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikën së Shqipërisë”, i ndryshuar.

    Pasi dëgjoi vendimmarrjen e trupi gjykues, avokati kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore, duke deklaruar se në këtë pikë të procesit, nevojitej prania e ankueses për vijimin me parashtrimet.

    Pasi përfaqësuesit e subjekteve të interesuara shprehën qëndrimin e tyre për rrëzimin e kërkesës, trupi gjykues u tërhoq për konsultim.

    Duke patur në konsideratë rrethanat specifike të ankueses, lirinë e kufizuar të saj dhe vështirësinë për të garantuar një mbrojtje të efektshme nga avokati pa prezencën e ankueses, trupi gjykues vendosi pranimin e kërkesës së paraqitur nga avokati Ardian Visha për shtyrjen e gjykimit, për t’i dhënë mundësi për të dëgjuar personalisht ankuesen Enkeleida Hoxha.

    Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 14.04.2022, ora 10.00, në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

     

    Njoftime

    16:00 -16:09
    2022.03.23

    Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 15/2022, datë 11.03.2022 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Artan Lulaj kundër vendimit nr. 497, datë 13.01.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

    Sot, në datën 23.03.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

    Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:

    Kryesues: Sokol Çomo

    Relatore: Ina Rama

    Anëtarë:Natasha Mulaj, Albana Shtylla, Mimoza Tasi

     

    ****************************

     

    Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 16/2022, datë 17.03.2022 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Elina Kombi kundër vendimit nr. 507, datë 03.02.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

    Sot, në datën 23.03.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

    Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:

    Kryesues: Sokol Çomo

    Relatore:Natasha Mulaj

    Anëtarë:Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, Mimoza Tasi

    Njoftim

    16:20 -16:21
    2022.03.23

    Sot, më datë 23.03.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit Ardian Hajdari, i caktuar anëtar në çështjen (JR) nr. 31/2020, datë 30.07.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Adnand Xhelili kundër vendimit nr. 237, datë 12.02.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

    Pas hedhjes së shortit, gjyqtari Ardian Hajdari është zëvendësuar nga gjyqtare Natasha Mulaj.

    Zëvendësimi i gjyqtarit Ardian Hajdari është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr. 13, datë 07.02.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

    Përfundimisht, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 31/2020, datë 30.07.2020, do të ketë përbërjen që vijon:

    Kryesuese:  Ina Rama

    Relator: Sokol Çomo

    Anëtarë: Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz