< 2022 >
April 13
  • 13
    13.April.Wednesday

    Dhomë këshillimi

    10:00 -14:00
    2022.04.13

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 13.04.2022, seancën në dhomë këshillimi të çështjes me numër regjistri (JR) 13/2022, datë 24.02.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Petrit Bica kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 506, datë 31.01.2022.

    Pasi mori në shqyrtim çështjen, bazuar në nenin 51, pika 1, germa “b” e ligjit nr.49/2012 “Për gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, i ndryshuar, trupi gjykues vendosi shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, ditën e enjte, në datën 12.05.2022, ora 10:00.

    Gjykimi në seancë publike u vendos me qëllim korrigjimin e shkeljeve procedurale dhe konstatimin e drejtë e të plotë të situatës faktike të çështjes, në prani të subjektit të rivlerësimit.

    Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:

    Kryesuese: Mimoza Tasi

    Relatore: Albana Shtylla

    Anëtarë: Ina Rama, Natasha Mulaj, Sokol Çomo

    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Seance publike

    11:00 -14:00
    2022.04.13

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 13.04.2021, ora 11:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 58/2021, datë 11.10.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 410, datë 30.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Atalanta Zeqiraj.

    Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit, duke i kërkuar Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe pas vlerësimit tërësor të çështjes, të vendosë në mënyrë alternative, ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 410, datë 30.06.2021, ose lënien në fuqi të tij.

    Subjekti i rivlerësimi, znj. Atalanta Zeqiraj, paraqiti prapësimet lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke i kërkuar Kolegjit riçeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen në cilësinë e provës të disa akteve të depozituara prej saj në Kolegj, në përgjigje të ankimit të Komisionerit Publik. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 410, datë 30.06.2021.

    Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor dhe të pranojë në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

    Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, që do të zhvillohet më 13 maj 2022, ora 9:00.

    Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.