< 2022 >
April 5
  • 05
    05.April.Tuesday

    Seancë publike

    10:00 -17:00
    2022.04.05
    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 05.04.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.
    Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përmban shkaqe të mjaftueshme për t’u hetuar nga Kolegji, pasi subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë dhe atij profesional. Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit marrjen në konsideratë të shkaqeve të ankimit, çeljen e hetimit gjyqësor dhe marrjen  e provave të reja, përfshirë edhe gjetjet e depozituara nga vëzhguesi ndërkombëtar i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pjesë e ankimit.
    Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij kundër shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik duke deklaruar se janë të pabazuara në prova e fakte dhe si të tilla, nuk duhet të merren në konsideratë nga Kolegji. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të pranojë si provë të gjitha aktet e depozituara prej tij në mbështetje të pretendimeve të ngritura gjatë seancës së sotme, përfshirë edhe akte që kundërshtojnë denoncimet e publikut dhe të vendosë lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 393, datë 03.06.2021.
    Komisioneri Publik vlerësoi se denoncimet e publikut nuk përmbajnë asnjë provë apo rrethanë për hetim të mëtejshëm nga ana e Kolegjit.
    Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe një pyetjeje të relatores lidhur me aktet e depozituara, trupi gjykues u konsultua dhe vendosi:
    – Çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes për të pranuar aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe kryerjen nga Kolegji të një analize financiare të bazuar në pretendimet e ngritura nga Komisioneri Publik në ankim.
    Trupi gjykues vendosi gjithashtu të shprehet lidhur me denoncimet e publikut në seancën e ardhshme gjyqësore, që do të zhvillohet më datë 6 maj 2022, ora 9:00.
    Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Njoftim

    16:33
    2022.04.05

    Ditën e premte, më datë 29.04.2022, ora 10:30, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 25/2020, datë 26.06.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Simon Pashuku kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 213, datë 22.11.2019.

    Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:

    Kryesuese: Rezarta Schuetz

    Relatore: Ina Rama

    Anëtarë: Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo

    Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.