- 0101.June.Wednesday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 01.06.2021, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2020, datë 01.06.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Anila Guri kundër vendimit nr. 184, datë 19.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit, znj. Anila Guri, u dëgjua nga trupi gjykues teksa paraqiti kundërshtimet e saj ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 184, datë 19.07.2019, për të cilin, pretendoi se është marrë në kontradiktë me provat dhe në mosrespektim të parimit të proporcionalitetit.
Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe dy prej anëtareve të trupit gjykues lidhur me kriterin e pasurisë, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Pasi subjekti i rivlerësmit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të paraqiste konkluzionet përfundimtare.
Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, që pas një vlerësimi tërësor, objektiv dhe proporcional të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 184, datë 19.07.2019 dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Anila Guri.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të subjektit të rivlerësimit, trupi gjykues u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 10 qershor 2022, ora 9:30.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
- 0202.June.Thursday
Njoftim
Kolegji i Posaçëm i Apelimit njofton se seanca në dhomë këshillimi për çështjen (JR) nr. 29/2020, datë 16.07.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ardit Mustafaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 245, datë 05.03.2020, e planifikuar për t’u zhvilluar më datë 05.07.2022, ora 10:00, për arsye objektive të vëzhguesit ndërkombëtar, do të zhvillohet ditën e mërkurë, më datë 13.07.2022, ora 10:00.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Albana Shtylla
Relatore: Ina Rama
Anëtarë: Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo
Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.
- 0606.June.Monday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 06.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2021, datë 30.03.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 325, datë 14.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Rilinda Selimi.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit më datë 22.04.2022, në Kolegj, sipas inventarit në parashtrimet e paraqitura prej saj.
Trupi gjykues vendosi të mos kërkojë informacion dhe prova shtesë, sipas kërkesës së Komisioneres Publike, pasi provat e pranuara vlerësohen të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.
Duke marrë parasysh kërkesën e Komisioneres Publike për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 20 qershor 2022, ora 14:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.
- 0606.June.Monday
Njoftime
Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 23/2022, datë 30.05.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 524, datë 08.04.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elfrida Bregova.
Sot, në datën 06.06.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.
Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relatore: Albana Shtylla
Anëtarë: Sokol Çomo, Ina Rama, Mimoza Tasi
*********************************
Sot, më datë 06.06.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit Ardian Hajdari, i caktuar kryesues në çështjen (JR) nr. 40/2020, datë 21.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit 256, datë 12.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Etleva Deda.
Zëvendësimi i gjyqtarit Ardian Hajdari është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr. 13, datë 07.02.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pas hedhjes së shortit, për caktimin e gjyqtarit anëtar dhe më pas, për kryesuesin, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 40/2020, datë 21.09.2020, do të ketë përbërjen që vijon:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relatore: Albana Shtylla
Anëtarë: Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi
************************
Sot, më datë 06.06.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit Ardian Hajdari dhe gjyqtarit Luan Daci, të caktuar si kryesues dhe anëtar në çështjen (JR) nr. 27/2020, datë 09.07.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Gjovalin Përnoca kundër vendimit nr. 196, datë 13.09.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Zëvendësimi i gjyqtarit Luan Daci është bërë për shkak të shkarkimit të tij nga detyra me vendimin nr. 1 (JD), datë 09.12.2021 të Komisionit Disiplinor të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe zëvendësimi i gjyqtarit Ardian Hajdari është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr. 13, datë 07.02.2022 të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Përfundimisht, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 27/2020, datë 09.07.2020, do të ketë përbërjen që vijon:
Kryesuese: Albana Shtylla
Relatore: Natasha Mulaj
Anëtarë: Sokol Çomo, Rezarta Schuetz, Mimoza Tasi
- 0707.June.Tuesday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 35/2020, datë 11.09.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 255, datë 08.06.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ludovik Dodaj.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kontrollin e pasurisë dhe se nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë.
Komisioneri Publik deklaroi se lidhur me kriterin e vlerësimit profesional, nga aktet e administruara në dosjen e Komisionit, kishte konstatuar disa elementë, të cilët, i kërkoi Kolegjit t’i konsiderojë në rivlerësimin e subjektit Ludovik Dodaj, bazuar në vlerësimin tërësor të procedurave, sipas nenit 4, pika 2 dhe nenit 61/5 të ligjit nr. 84/2016.
Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë shkaqet e ankimit dhe në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 255, datë 8.6.2020 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke pretenduar se janë të padrejta dhe deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar bindshëm ligjshmërinë e të ardhurave të tij. Në mbështetje të parashtrimeve, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte, të cilat kërkoi të merren si provë nga trupi gjykues, si dhe i kërkoi Kolegjit riçeljen e pjesshme të hetimit gjyqësor të çështjes.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e listuara nga përfaqësuesja ligjore e subjektit të rivlerësimit, në seancën e sotme gjyqësore. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi gjithashtu, t’i kërkojë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, një dosje gjyqësore, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
I pyetur nga kryesuesja e seancës, Komisioneri Publik deklaroi se lidhur me provat e administruara nga Kolegji, rezervonte të drejtën të shprehej pasi të njihej me dosjen gjyqësore, që referohej në vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues.
Trupi gjykues, në pritje të administrimit të dosjes gjyqësore nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 27.6.2022, ora 10:00, dhe ftoi palët të përgatiten edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.