- 0808.June.Wednesday
Seancë publike
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 08.06.2022, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 31/2020, datë 30.07.2020, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Adnand Xhelili kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 237, datë 12.02.2020.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e trupit gjykues konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit z. Adnand Xhelili, i cili kishte njoftuar paraprakisht Kolegjin që, për arsye shëndetësore, e kishte të pamundur pjesëmarrjen në seancë dhe kërkonte shtyrjen e saj, duke paraqitur dhe dokumentacionin mjekësor përkatës.
Trupi gjykues, pasi shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga subjekti i rivlerësimit dhe dokumentacionin bashkëlidhur, vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore publike për në datën 26 korrik 2022, ora 10:00, duke e ftuar subjektin e rivlerësimit që në rast pamundësie për t’u paraqitur personalisht, të marrë pjesë në seancë nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor. Në rast mosparaqitje të subjektit apo përfaqësuesit të tij ligjor, trupi gjykues do të revokojë vendimin e ndërmjetëm për mbajtjen e seancës gjyqësore publike, duke vijuar shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi.
Gjithashtu, trupi gjykues bëri me dije se nëse kërkohet nga ana e subjektit të rivlerësimit, Kolegji mund ta zhvillojë seancën gjyqësore publike në një ambient të përshtatshëm me gjendjen e tij shëndetësore.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relator, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 22/2020, datë 26.06.2020, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 229, datë 28.01.2020, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Dritan Banushi.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin të vendimit nr. 229, datë 28.01.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Dritan Banushi.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 08.06.2022.
Njoftim
Ditën e mërkurë, më datë 06.07.2022, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 37/2020, datë 16.09.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Spartak Çoçoli kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 274, datë 16.07.2020.
Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
Kryesuese: Rezarta Schuetz
Relatore: Albana Shtylla
Anëtarë: Ina Rama, Natasha Mulaj, Mimoza Tasi
Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.