• 09
    09.June.Thursday

    Njoftime

    08:00 -18:00
    2022.06.09

    Duke qenë se dita e mërkurë, 25.05.2022, u caktua ditë pushimi me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 317, datë 18.05.2022, seanca gjyqësore publike për çështjen (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri, e planifikuar për t’u zhvilluar në këtë ditë, u shty për t’u zhvilluar sot, më datë 09.06. 2022, ora 09:30.

    Gjithashtu, edhe seanca gjyqësore publike për çështjen (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha, e planifikuar për t’u zhvilluar po më date 25.05.2022,  do të zhvillohet sot, me datë 09.06. 2022, ora 13:00.

    ****************************

    Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr. 24/2022, datë 03.06.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 519, datë 25.03.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Kastriot Gramshi.

    Sot, në datën 09.06.2022, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

    Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:

    Kryesuese:  Albana Shtylla

    Relatore:     Rezarta Schuetz

    Anëtarë:     Sokol Çomo, Natasha Mulaj, Ina Rama

    Seancë publike

    09:30 -13:00
    2022.06.09

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.06.2021, ora 09:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 19/2021, datë 19.04.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 342, datë 02.02.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elbana Lluri.

    Në vijim të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me aktet që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare të përgatitur nga Kolegji, të mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

    Komisioneri Publik deklaroi se analiza financiare pasqyron të gjitha kërkesat e ngritura në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

    Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, paraqiti prapësimet e saj lidhur me analizën financiare, duke pretenduar se është një analizë e pasaktë, e padrejtë dhe në të, nuk përfshihen të gjitha të dhënat mbi të ardhurat e personave të lidhur me subjektin e rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte të reja bashkëlidhur prapësimeve, të cilat kërkoi të pranohen si provë nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit, znj. Elbana Lluri, i kërkoi Kolegjit të marrë në konsideratë prapësimet e saj për analizën financiare të përgatitur në funksion të ankimit të Komisionerit Publik, si dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 342, datë 02.02.2021 të Komisionit të Pavaur të Kualifikimit.

    Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

    Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës një akt të depozituar nga subjekti i rivlerësimit, të lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Sa i përket denoncimeve të publikut, trupi gjykues vlerësoi që nuk plotësojnë kushtet e nenit 53, të ligjit 84/2016.

    Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancës e radhës, më datë 22.06.2022, ora 10:00.

    Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

    Seancë publike

    13:00 -17:00
    2022.06.09

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 09.06.2021, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 40/2021, datë 23.07.2021, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 393, datë 03.06.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gerd Hoxha.

    Në vijim të seancës së mëparshme, palët konfirmuan njohjen me me provat e reja – aktet që janë pjesë e fashikullit të çështjes së ish – bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit – dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare paraprake të përgatitur nga Kolegji, të mbështetur në shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike.

    Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, kundërshtoi pretendimet e subjektit të rivlerësimit për kërkime nga ana e saj në tejkalim të shkaqeve të ankimit që lidhen me kriterin e pasurisë, si dhe deklaroi se rezervon të drejtën të shprehet lidhur me analizën financiare, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare.

    Subjekti i rivlerësimit paraqiti prapësimet e tij lidhur me analizën financiare paraprake, duke pretenduar se është një analizë e pabazuar në ligj, nuk përputhet me jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit, si dhe cënon parimin e sigurisë juridike. Nëpërmjet një kërkese procedurale, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit, shpalljen si të pavlefshme të analizës financiare ose rikryerjen e saj, duke përfshirë qëndrimet që ka mbajtur subjekti i rivlerësimit lidhur me çështjen, gjatë seancave të mëparshme të zhvilluara në Kolegj. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të mos pranojë këto kërkesa të subjektit të rivlerësimit.

    Në vijim të seancës, subjekti i rivlerësimit përsëriti qëndrimin e tij të mbajtur në seancën e datës 05.04.2022, duke deklaruar se shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike janë të pasakta, të pabazuara në ligj dhe në prova dhe i  kërkoi Kolegjit të mos pranojë ankimin.

    Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes, në seancën e radhës, më datë 22 qershor 2022, ora 14:30.

    Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.