Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 19 shkurt 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.17/2018, datë 13.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.42, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Antoneta Sevdari.

Gjatë kësaj seance, subjekti i rivlerësimit vlerësoi se denoncimi me të cilin u njoh seancën e kaluar, nuk paraqet asnjë të dhënë që mund të çojë në dyshime për paaftësi të saj në aspektin profesional.

Komisioneri Publik kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të hetojë dhe të shprehet mbi të gjitha denoncimet në total, të depozituara pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në ngarkim të subjektit të rivlerësimit.

Trupi gjykues refuzoi kërkesën e Komisionerit Publik për riçeljen e hetimit administrativ, pasi konsideroi se dokumentacioni në dosje është i mjaftueshëm për zgjidhjen e çështjes.

Pasi deklaroi përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën, ditën e hënë, më datë 25.02.2019, ora 10.00, për t’i lënë në dispozicion kohën e nevojshme Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit për konkluzionet përfundimtare.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.