Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.05.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2022, datë 01.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Bledar Bejko.

Gjatë paraqitjes së ankimit, për të cilin deklaroi se është bërë brenda afateve të përcaktuara në ligj, Komisionerja Publike vlerësoi se konstatohen mangësi për kriterin e vlerësimit të pasurisë, problematika në kontrollin e figurës dhe të aftësive profesionale dhe se qëndrimi i Komisionit, sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm për të trija kriteret e vlerësimit, nuk është i mbështetur në një vlerësim të drejtë të fakteve, provave dhe legjislacionit të zbatueshëm.

Komisionerja Publike i kërkoi Kolegjit të marrë në shqyrtim shkaqet e ankimit dhe në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Bledar Bejko.

Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisioneres Publike, duke pretenduar se është bërë përtej afatit ligjor 15 – ditor. Ndërsa prapësoi shkaqet e ankimit për të trija kriteret e vlerësimit, subjekti i rivlerësimit deklaroi se ato nuk qëndrojnë dhe se janë të pabazuara në ligj e në prova. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet bashkëlidhur parashtrimeve të tij, të identifikuara gjatë seancës së sotme gjyqësore. Bazuar në parimin e barazisë para ligjit, të kushtetueshmërisë, parimet e proporcionalitetit dhe objektivitetit, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Lidhur me denoncimet e publikut, Komisionerja Publike u shpreh se e konsideron të panevojshëm mbajtjen e një qëndrimi, pasi rrethana e të dhëna rreth tyre janë të përfshira në shkaqet e ankimit, të cilat janë të mjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit.

Relatorja e çështjes i drejtoi disa pyetje sqaruese subjektit të rivlerësimit lidhur me denoncimet, për një prej të cilave, ai kërkoi kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur.

Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi çeljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe administrimin në cilësinë e provës të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, përveç dy akteve, të cilat janë tashmë të administruara në dosje.

Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 17 maj 2023, ora 11:00. Gjatë kësaj séance, trupi gjykues do të shpallë vendimin lidhur me denoncimet e publikut si dhe do të shprehet lidhur me kërkesën e subjektit të rivlerësimit për kohë të mjaftueshme lidhur me pyetjen e relatores së çështjes.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.