Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 05.06.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2021, datë 26.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të subjektit të rivlerësimit Irena Brahimi kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në fillim të seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, depozitoi një akt të shërbimit postar lidhur me kohën e paraqitjes së ankimit të saj kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, akt që u pranua si provë nga trupi gjykues.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, të datës 11.05.2023, palët debatuan rreth analizës financiare paraprake të kryer nga Kolegji, lidhur me shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, si dhe me pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi kërkoi kohë shtesë për të mbajtur qëndrim lidhur me disa pika në parashtrimet e sotme të Komisionerit Publik, që sipas saj, tejkalojnë ankimin. Lidhur me këtë kërkesë, trupi gjykues vlerësoi se subjekti i rivlerësimit mund të ridebatojë rreth kësaj çështjeje gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare. Kolegji pranoi në cilësinë e provës dy akte të reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, në mbështetje të pretendimeve të saj lidhur me analizën financiare paraprake.

Po në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së datës 11.05.2023, subjekti i rivlerësimit mbajti qëndrim lidhur me informacionin mbi një publikim të një portali mediatik, pjesë e ankimit të Komisionerit Publik në kuadër të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi trupit gjykues të mos pranojë të shqyrtojë më tej këtë informacion, pasi nuk përmbush kriteret e një denoncimi, sipas nenit 53 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në këtë kuadër, në funksion të hetimit gjyqësor, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me qëllim administrimin e dosjes gjyqësore së një çështjeje penale në pritje për t’u shqyrtuar pranë kësaj gjykate, që lidhet me informacionin e publikuar nga media. Trupi gjykues e pranoi këtë kërkesë të Komisionerit Publik dhe në pritje të dokumentacionit si dhe përcjelljes së tij palëve, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 6 korrik 2023, ora 10:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.