Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12.06.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 16/2023, datë 24.04.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 629, datë 03.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Cengu.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike vlerësoi se vendimi i Komisionit nr. 629, datë 3.3.2023, ku deklarohet i përfunduar procesi i rivlerësimit kalimtar për z. Besnik Cengu, pa një vendim përfundimtar të çështjes, duhet të ndryshojë, duke disponuar me ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit dhe zbatimin e pasojës juridike të parashikuar nga pika 2, e nenit G të Aneksit të Kushtetutës.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike, duke i vlerësuar si të paargumentuara e pa shkak ligjor. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se kërkesa e tij për përfitimin e pensionit të parakohshëm, ka qenë për arsye shëndetësore, ndaj rasti i tij nuk duhet shqyrtuar në referencë të pikës 2, të nenit G të Aneksit të Kushtetutës. Në mbështetje të pretendimeve të tij, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte, të cilat u pranuan në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Pas disa pyetjeve të relatores drejtuar subjektit të rivlerësimit në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët të paraqesnin konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Duke deklaruar se provat e reja nuk ndikojnë në ankim, Komisionerja Publike, përfundimisht, kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cengu; si dhe, në zbatim të pikës 2, të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ndalimin e emërimit të subjektit të rivlerësimit z. Besnik Cengu për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.
Subjekti i rivlerësimit, përfundimisht, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 629, datë 3.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke deklaruar se është një vendim i drejtë, i mbështetur në nenin 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, germën “c” të pikës 1, të nenit 64 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 95, të Kodit të Procedurës Administrative. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit, pa vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura, është bërë i pamundur.
Pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 13 qershor 2023, ora 13:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.