Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.06.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 37/2022, datë 01.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 535, datë 26.05.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Bledar Bejko.
Të pyetur nga kryesuesja e seancës, palët konfirmuan se Kolegji u kishte përcjellë dokumentacionin shtesë të mbërritur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në funksion të hetimeve të mëtejshme lidhur me tri denoncime të publikut.
Komisionerja Publike u shpreh se aktet e dërguara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës nuk ndikonin në kërkimin e saj përfundimtar, ndaj, vlerësimin rreth tyre, e la në çmim të gjykatës.
Subjekti i rivlerësimit deklaroi se, jo vetëm që denoncimet, të cilat po shqyrtohen nga Kolegji nuk janë pjesë e ankimit, por janë gjithashtu, të pabazuara. Lidhur me dokumentacionin e dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, subjekti i rivlerësimit pretendoi se në to nuk konstatohet asnjë gjetje, bazuar në të cilën do të mund të lindtte nevoja për shqyrtime të mëtejshme në kuadër të vlerësimit të aftësive të tij profesionale. Në mbështetje të këtyre pretendimeve, subjekti i rivlerësimit depozitoi disa akte, që u pranuan si provë nga trupi gjykues, i cili, deklaroi më pas dhe mbylljen hetimit.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Me kërkesë të Komisioneres Publike për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 22 qershor ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.