Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 12.07.2023, ora 10:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 23/2021, datë 10.05.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Aleks Nikolli kundër vendimit nr. 290, datë 10.08.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti i rivlerësimit parashtroi në mënyrë të detajuar argumentet e tij lidhur me shkeljen procedurale të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, atë të pasqyrimit në vendim të një konkluzioni për pasurinë e tij, apartament banimi në Lezhë, me dy shtesa anësore, konkluzion ky, që nuk ishte i shumicës, por i relatorit të çështjes. Në vijim të këtyre argumenteve, subjekti i rivlerësimit deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 290, datë 10.08.2020, është marrë në shkelje të rëndë të ligjit. Në vijim, subjekti i kërkoi Kolegjit marrjen në cilësinë e provës të disa akteve që ka depozituar bashkëngjitur ankimit, si dhe aksesimin e disa informacioneve nga burime të hapura. Pas disa pyetjeve të relatores në funksion të shqyrtimit të çështjes dhe pasi u konsultua, trupi gjykues, bazuar në nenin 47 të ligjit nr. 49/2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i ndryshuar dhe në nenin 49, pika 6, shkronja “a” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi të mos lejojë marrjen si provë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit. Lidhur me kërkesën për të aksesuar informacione nga burime të aksesueshme dhe të hapura, trupi gjykues vlerësoi që ato mund të konsultohen prej tij në kuadër të këtij gjykimi. I pyetur nga kryesuesja rreth kërkimit përfundimtar, subjekti i rivlerësimit deklaroi se i qëndron kërkimit përfundimtar të përfshirë në ankim. Trupi gjykues, i konsultuar në vend, deklaroi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 14.07.2023, ora 13.00. Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.