Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 5 mars 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr. 9/2018, datë 19.07.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 22, datë 07.06.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Edmond Islamaj.
Lidhur me analizën financiare për periudhën kohore 2004-2016 të përgatitur nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë KPA-së, subjekti i rivlerësimit parashtroi shpjegimet dhe pretendimet e tij.
Subjekti i rivlerësimit dorëzoi pranë trupit gjykues një relacion shpjegues financiar, si dhe akte shoqëruese të lëshuara nga individë dhe shoqata për të justifikuar shpenzimet e udhëtimeve të tij private jashtë shtetit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi që dokumentacioni të merret si provë nga trupi gjykues.
Komisioneri Publik parashtroi qëndrimet e tij mbi analizën financiare të Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë KPA-së në dy aspekte, atë ligjor, dhe financiar.
Trupi gjykues vendosi që do të shprehet për marrjen ose jo si provë të deklaratës së lëshuar më datë 5.03.2019 nga shoqatat “MeEduSa” dhe “Instituti për marrëdhëniet italo – shqiptaro”, pasi subjekti i rivlerësimit Edmond Islamaj të paraqesë dokumentin origjinal të legalizuar si dhe dokumentacion zyrtar të lëshuar nga autoritetet e shtetit italian që vërteton se këto shoqata janë të regjistruara në institucionet përkatëse, si dhe që përcakton statusin që personat nënshkrues kanë në këto shoqata.
Trupi gjykues vendosi që do të shprehet për marrjen ose jo si provë të deklaratave noteriale të shtetasve pritës të subjektit të rivlerësimit në Itali, vetëm pasi ky i fundit të provojë që këta deklarues kanë qenë rezidentë në shtetin italian, në kohën të cilën përmendin në deklaratat e tyre.
Gjithashtu, trupi gjykues vendosi të lejojë marrjen si provë të akteve të tjera të paraqitura në këtë seancë nga subjekti i rivlerësimit, sipas procesverbalit të seancës, të cituar në mënyrë specifike, si nga subjekti, ashtu dhe nga kryesuesi i seancës.
Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet ditën e martë, më datë 26.03.2019, ora 11.00.