Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.07.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2023, datë 06.04.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 621, datë 13.02.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Erarbër Madhi.

Në vijim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit bëri me dije përgjigjen e përfaqësisë diplomatike shqiptare pranë NATO-s lidhur me kërkesën e bërë prej subjektit të rivlerësimit për vënien në dispozicion të një dokumenti mbi të ardhurat financiare nga puna pranë kësaj organizate, të një personi të lidhur me të.

Nëpërmjet kësaj përgjigjeje, subjekti i rivlerësimit, z. Erarbër Madhi informohej se Departamenti i Burimeve Njerëzore pranë Sekretariatit të NATO-s, edhe për shkak të konfidencialitetit të të dhënave, nuk kishte sjellë informacion lidhur me kërkesën.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës këtë dokument.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Duke qenë se palët kërkuan kohë të arsyeshme për përgatitjen e tyre, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 25.07.2023, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.