Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.07.2023, ora 11:30, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 6/2021, datë 26.01.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të subjektit të rivlerësimit Irena Brahimi kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm dhe se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e saj.Në lidhje me kriterin e aftësive profesionale, Komisioneri Publik vlerësoi se duhet të evidentohet nga ana e Kolegjit, mangësia e arsyetimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pjesën e dispozitivit që lidhet me çështjen civile të transferuar për inspektim në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, çështje, ku subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, ka qenë në cilësinë e anëtares së trupit gjykues.
Lidhur me informacionin e publikuar në portalin mediatik, Komisioneri Publik përsëriti qëndrimin e mbajtur në seancën paraardhëse, duke vlerësuar se nuk ka elementë që ndikojnë në vlerësimin profesional ose tërësor të subjektit të rivlerësimit. Përfundimisht, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë, duke deklaruar se mbulon me burime të ligjshme investimet, kursimet dhe shpenzimet e kryera, duke arritur nivel të besueshëm për këtë kriter. Subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, dha shpjegime e mbajti qëndrim lidhur dhe me ankimin e saj kundër vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Sa i përket kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi mbajti të njëjtin qëndrim me Komisionerin Publik. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 276, datë 21.07.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e saj në detyrë. Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 24.07.2023, ora 09:30. Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.