Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 7 mars 2019, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr.14/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.47, datë 25.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Astrit Faqolli.

Gjatë seancës së sotme, Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit, ndërsa subjekti i rivlerësimit, parashtroi prapësimet e tij ndaj ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, si dhe depozitoi disa akte shkresore që kërkoi të merren në konsideratë nga trupi gjykues.

Subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të paraqitur pranë trupit gjykues edhe dy akte të reja shkresore, në funksion të shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes.

Për t’i dhënë kohën e nevojshme subjektit të rivlerësimit të depozitojë pranë trupit gjykues këtë dokumentacion shtesë, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 20.03.2019, ora 10.00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.