Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 25.07.2023, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 14/2023, datë 06.04.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 621, datë 13.02.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Erarbër Madhi.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, mbetën të paprovuara, në nivel deklarativ pretendimet e subjektit të rivlerësimit për justifikimin me burime të ligjshme të pasurisë së tij. Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 621, datë 13.02.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Erarbër Madhi.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi qëndrimin e Komisionerit Publik, duke deklaruar se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj nuk u vërtetua që subjekti i rivlerësimit të ketë pasur të njëjtin regjim pasuror me personat e lidhur me të, se nuk ka tentuar të fshehë pasurinë e tij dhe se arrin të justifikojë me burime të ligjshme krijimin e saj.

Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 621, datë 13.02.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin e tij në detyrë.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 27.07.2023, ora 13:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.