Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 18.09.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 9/2021, datë 02.03.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Kujtim Luli.
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, të zhvilluar më 25.07.2023, subjekti i rivlerësimit paraqiti në mënyrë të detajuar prapësimet e tij lidhur me ankimin e Komisionerit Publik për kriterin e pasurisë.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke deklaruar se nuk bazohen në ligjin e zbatueshëm dhe rrethanat e faktit, si dhe se cënojnë parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 318, datë 03.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe në mbështetje të pretendimeve të tij, paraqiti disa akte, të cilat kërkoi të merren në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Pasi Komisioneri Publik deklaroi se, nga pikëpamja formale aktet e depozituara përmbushin kriteret ligjore, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor të çështjes dhe t’i pranojë si provë aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, sipas specifikimeve përkatëse të bëra gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Duke marrë në konsideratë kërkesën e palëve për kohë të arsyeshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 26.09.2023, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.