Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 28.09.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2023, datë 07.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 595, datë 07.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arbër Çela.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit, z. Arbër Çela, gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e të ardhurave të tij. Në referencë të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Komisionerja Publike parashtroi rrethana dhe fakte, të cilat kërkoi të merren në konsideratë nga Kolegji në kuadër të vlerësimit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit, si dhe të vlerësimit tërësor të çështjes. Komisonerja Publike vlerësoi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 595, datë 7.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arbër Çela.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqëuesi i tij ligjor kundërshtuan si të pabazuar në ligj dhe në prova çdo dyshim të ngritur në shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike në lidhje me kriterin e pasurisë dhe atë të vlerësimit të aftësive profesionale. Në mbështetje të pretendimeve të tij se arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë për të tri kriteret e rivlerësimit, subjekti i rivlerësimit depozitoi akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues.
Trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për në datën 04.10.2023, ora 13:00, për të vendosur lidhur me vijimin e procesit të gjykimit.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.