Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.10.2023, ora 13:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2023, datë 07.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 595, datë 07.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arbër Çela.
Pas vlerësimit të gjendjes në të cilën ndodhen aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e mëparshme, Komisionerja Publike vërejti se disa prej tyre nuk janë në formën e kërkuar nga ligji dhe si të tilla, nuk duhet të pranohen si provë. Sa i përket përmbajtjes së akteve, Komisionerja Publike u shpreh se do të mbajë qëndrim lidhur me to gjatë konkluzioneve përfundimtare.
Komisionerja Publike parashtroi edhe qëndrimin mbi një denoncim nga publiku, duke e lënë në vendimmarrjen e Kolegjit nisjen ose jo të hetimit mbi të, pasi informacionet e përfshira në këtë denoncim nuk ndikonin në kërkimin përfundimtar të ankimit.
Subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve sqaruese të relatores së çështjes lidhur me aktet dhe disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me çështjen.
Trupi gjykues vendosi të mos hetojë mbi denoncimin, pasi vlerësoi se në të nuk gjen zbatim përcaktimi i nenit 53 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës të gjitha aktet e sjella nga subjekti i rivlerësimit që përmbushin elementët e formës, të parashikuar nga ligji dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të risjellë aktet e tjera në formën e kërkuar nga ligji para seancës së ardhshme, që do të zhvillohet më datë 26.10.2023, ora 10:00.
Gjatë kësaj séance, palët duhet të jenë të përgatitura edhe për konkluzionet përfundimtare të çështjes.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.