Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.10.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 10/2023, datë 07.03.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 595, datë 07.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Arbër Çela.
Pas konfirmimit të Komisioneres Publike se ishte njohur me aktet e risjella nga subjekti i rivlerësimit dhe vlerësimit se këto akte ishin në formën e kërkuar nga ligji, trupi gjykues vendosi t’i pranojë ato në cilësinë e provës.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisionerja Publike deklaroi se lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, mbetet e paprovuar ligjshmëria e burimeve financiare të subjektit të rivlerësimit, ndërkohë që janë evidentuar mangësi edhe gjatë vlerësësimit të kriterit të aftësive profesionale. Përfundimisht, Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 595, datë 07.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Arbër Çela.
Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se pretendimet e Komisioneres Publike janë të pabazuara dhe se vërtetohet përtej çdo dyshimi që subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e kriterit të pasurisë. Subjekti i rivlerësimit deklaroi se nuk gjen arsyetim për qëndrimet në konkluzionet përfundimtare të Komisioneres Publike lidhur me kriterin e aftësive profesionale. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 595, datë 07.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 03.11.2023, ora 09.30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.