Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 30.11.2023, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2023, datë 19.05.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 634, datë 10.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Naim Tota.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe të aftësive profesionale, Komisionerja Publike deklaroi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit është i cënueshëm dhe si i tillë, duhet të ndryshohet.
Komisionerja Publike kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Naim Tota.
Subjekti i rivlerësimit dhe përfaqësuesi i tij ligjor, gjatë prapësimit të shkaqeve të ankimit, deklaruan se kërkesa e Komisioneres Publike për shkarkim e subjektit të rivlerësimit është jo proporcionale dhe pretendimet e ngritura në ankim, të pambështetura në ligj e në prova.
Subjekti i rivlerësimit kundështoi ankimin për të dyja kriteret e rivlerësimit dhe depozitoi tri akte të reja, të cilat kërkoi të pranohen në cilësinë e provës nga trupi gjykues. Subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 634, datë 10.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Lidhur me dy denoncime të publikut të mbërritura pas ankimit, Komisionerja Publike edhe subjekti i rivlerësimit ndanë të njëjtin qëndrim, se denoncimet nuk përmbajnë fakte dhe rrethana të mjaftueshme për hetime të mëtejshme.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës një akt të depozituar nga subjekti i rivlerësimit në kuadër të çeljes së hetimit gjyqësor të çështjes, si dhe u njoh me dy vendime gjyqësore në kuadër të vlerësimit mbi denoncimet e publikut. Lidhur me dy denoncimet, trupi gjykues vendosi të mos i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme, pasi nuk përmbushin kriteret e nenit 53 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, më datë 7 dhjetor 2023, ora 12:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.