Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 07.12.2023, ora 12:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 20/2023, datë 19.05.2023, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 634, datë 10.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Naim Tota.
Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, lidhur me kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisionerja Publike deklaroi se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, ndodhen në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, ndërsa lidhur me kriterin e aftësive profesionale, i kërkoi Kolegjit të vlerësojë mangësitë e evidentuara në shkaqet e ankimit. Përfundimisht, Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 634, datë 10.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Naim Tota.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, duke deklaruar se nuk janë të mbështetura në ligj e në prova, por në vlerësime subjektive dhe dyshime të paprovuara. Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 634, datë 10.03.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi të tërhiqet për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 13.12.2023, ora 14:30.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.