Sot më datë 23.01.2024, ora 09:00, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 12/2023, datë 15.03.2023, që i përket ankimit të Komisioneres Publike kundër vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mariola Mërtiri.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisionerja Publike, znj. Irena Nino, duke i qëndruar shkaqeve të saj të ankimit, në mbështetje të rekomandimit dhe gjetjeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës për asnjë prej tri kritereve të rivlerësimit, të pasurisë, të figurës dhe atë të aftësive profesionale, si dhe në vlerësimin tërësor të çështjes. Në përfundim, Komisionerja Publike kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri.

Subjekti i rivlerësimit, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, i qëndroi prapësimeve të saj për të gjitha shkaqet e ankimit, duke u shprehur se aktet dhe dokumentacioni i vënë në dispozicion të trupit gjykues dhe shpjegimet e dhëna nga ana e saj në seancat e mëparshme provojnë se ankimi i Komisioneres Publike është i pambështetur në prova dhe akte dhe në interpretim të gabuar të legjislacionit. Në përfundim, subjekti i rivlerësimit, znj. Mariola Mërtiri, kërkoi lënien në fuqi të vendimit nr. 606, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 29.01.2024, ora 15:00.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.