Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 26.01.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 72/2021, datë 23.11.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 442, datë 14.09.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Çafka.

Pas verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se në Kolegj janë depozituar edhe disa denoncime të tjera me përmbajtjen e të cilëve trupi gjykues nuk ishte njohur ende, ndërsa ftoi palët të paraqisnin qëndrimet e tyre mbi denoncimet e depozituara para nisjes së shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe në seancën e mëparshme.

Komisioneri Publik vlerësoi nevojën e hetimit të mëtejshëm për një pjesë të denoncimeve të sipërcituara, duke sqaruar se ankesat nga publiku, të dorëzuara në Kolegj para depozitimit të ankimit, ishin trajtuar gjatë hetimit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në përmbyllje të qëndrimit të tij, Komisioneri Publik parashtroi se për dy prej denoncimeve të publikut gjendej në kushtet e pamundësisë për t’u shprehur mbi nevojën për hetim të mëtejshëm ndërsa parashtroi nevojën për hetimin e dy prej tyre.

Subjekti i rivlerësimit paraqiti qëndrimin e tij dhe prapësimet e fakteve të paraqitura në denoncime, si dhe kërkoi administrimin e një sërë aktesh për shqyrtim.

Trupi gjykues pasi mori në konsideratë qëndrimet e palëve në këtë fazë të procesit lidhur me denoncimet e paraqitura në Kolegj, analizoi dhe konsultoi dhe aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit vendosi administrimin e akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, administrimin e dosjeve penale që i përkasin procedimeve penale nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, në funksion të hetimit të denoncimeve përkatëse, mos-hetimin më tej të denoncimeve të paraqitura në Kolegj përgjatë periudhës së përgatitjes së çështjes dhe ato të paraqitura në datën 18.01.2024 duke qenë se vlerësohet se nuk plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji 84/2016, neni 53, si dhe përcjelljen e 3 (tre) prej denoncimeve të paraqitura së fundmi në Kolegj, për qëndrim të palëve.

Në përfundim të seancës trupi gjykues vendosi që seanca gjyqësore e radhës të mbahet në datën 02.02.2024, ora 11:00, për t’i dhënë kohë palëve për të mbajtur qëndrimet përkatëse.

Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.