Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 08.02.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 25/2023, datë 20.06.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 651, datë 27.04.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Urim Buci.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se ndan qëndrim të ndryshëm nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, lidhur me vlerësimin e situatës financiare, mjaftueshmërinë dhe ligjshmërinë e burimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit si edhe me trajtimin e një rasti të konfliktit të interesit.
Lidhur me tri denoncime të publikut të mbërritura pas ankimit, Komisionerja Publike u shpreh se shkaqet e ankimit janë të mjaftueshme për kërkimin e ankimit, ndryshimin e vendimit nr. 651, datë 27.04.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Urim Buci.
Subjekti i rivlerësimit prapësoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke deklaruar se ato janë të pabazuara në prova dhe se vendimi nr. 651, datë 27.04.2023, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i mbështetur në vlerësim të drejtë të fakteve. Subjekti i rivlerësimit dha shpjegime rreth praktikës së çështjeve që ishin pjesë e denoncimeve nga publiku dhe iu përgjigj disa pyetjeve të relatores së çështjes në këtë kuadër. Gjithashtu, ai kërkoi të merren në cilësinë e provës disa akte të depozituara bashkëlidhur parashtrimeve të sotme.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe të administrojë në cilësinë e provës, aktet e listuara në seancë nga subjekti i rivlerësimit.
Kryesuesja e seancës ftoi Komisioneren Publike të shprehë qëndrimin e saj lidhur me denoncimet e paraqitura në Kolegj, dhe pasi Komisionerja Publike kërkoi kohë dhe mundësinë për të mbajtur qëndrim në bisedimet përfundimtare lidhur me to, trupi gjykues, i konsultuar në vend, vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, në seancën që do të zhvillohet më datë 16.02.2024, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.