Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 29.02.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 43/2023, datë 22.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 681, datë 07.07.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artur Ismajlukaj.

Komisionerja Publike paraqiti shkaqet e ankimit për kriterin e vlerësimit të figurës, duke deklaruar se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut tek drejtësia dhe se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të tij, nuk është rrjedhojë e një vlerësimi tërësor të fakteve dhe provave. Duke shtuar se vërehen mospërputhshmëri në deklarimet e subjektit të rivlerësimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë, Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 681, datë 07.07.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artur Ismajlukaj.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit prapësoi gjetjet në shkaqet e ankimit të Komisioneres Publike dhe depozitoi akte të reja shtesë për të provuar të kundërtën e ankimit.

Lidhur me disa denoncime të publikut të mbërritura në Kolegj, Komisionerja Publike deklaroi se, duke qenë se kanë ardhur para ankimit, nuk ka një qëndrim të ri lidhur me to.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të pranojë në cilësinë e provës aktet e subjektit të rivlerësimit, të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes, si dhe ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës, më datë 25.03.2024, ora 10:00.

Seanca në seancë publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.