Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 04.03.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 72/2021, datë 23.11.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 442, datë 14.09.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Çafka. Subjekti i rivlerësimit paraqiti disa akte shtesë, të cilat u pranuan si provë nga trupi gjykues dhe listoi të gjithë dokumentacion e depozituar në funksion të shqyrtimit të çështjes në Kolegj.
Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Komisioneri Publik deklaroi se në kuadër të kriterit të vlerësimit profesional, problematikat e konstatuara lidhen më së shumti, me elementë që referojnë në aftësitë organizative të subjektit të rivlerësimit dhe se janë të tilla, që mund të korrigjohen nëpërmjet një programi trajnues pranë Shkollës së Magjistraturës.
Sipas Komisionerit Publik, kohëzgjatja njëvjeçare e këtij programi trajnues, objektivisht i mundëson Kolegjit, që brenda mandatit të tij kushtetues të rivlerësojë plotësimit e mangësive profesionale të subjektit të rivlerësimit në një seancë gjyqësore publike, ku kompetencat kushtetuese të Komisionerit Publik, sipas parashikimit të paragrafit 8 të nenit 179/b të Kushtetutës, do të ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Përfundimisht, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Julian Çafka, pezullimin e tij nga detyra për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës. Komisioneri Publik kërkoi gjithashtu transferimin e dy çështjeve penale për inspektim pranë ILD-së, siç ka vendosur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kishte vendosur përkatësisht, pezullim dhe mosfillim të procedimit penal.
Subjekti i rivlerësimit, në referencë të provave të depozituara, i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rikonfirmimin e tij në detyrë.
Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 05.04.2024, ora 12:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.