Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 11.03.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes me numër regjistri (JR) 42 – 17/ 2018, datë 11.04.2023, lidhur me kërkesën e ish – subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019.

Përfaqësuesja ligjore e znj. Antoneta Sevdari, në referencë të vendimit të GjEDNj-së “Sevdari kundër Shqipërisë” parashtroi rrethanat mbi të cilat bazohej kërkesa e saj dhe në përmbyllje, i kërkoi Kolegjit pranimin e kërkesës për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019, prishjen e këtij vendimi dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018 që ka vendosur konfirmimin në detyrë të znj. Antoneta Sevdari ose, në mënyrë alternative, rihapjen e procesit të rivlerësimit, shfuqizimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nr. 6, datë 28.02.2019 dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018.

Komisionerja Publike znj. Irena Nino vlerësoi si legjitime kërkesën e znj. Antoneta Sevdari për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019 dhe deklaroi se është në kompetencë të Kolegjit pranimi ose jo i kësaj kërkese, si dhe vendimmarrja lidhur me të.

Pas disa pyetjeve të relatorit të çështjes drejtuar kërkueses dhe Komisioneres Publike lidhur me saktësimet e kërkimeve respektive dhe pasi u konsultua, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi pranimin e kërkesës së kërkueses Antoneta Sevdari për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019; prishjen e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019 dhe rigjykimin e çështjes gjyqësore të juridiksionit të rivlerësimit (JR) nr.17, datë 13.09.2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018; marrjen e masave për tërheqjen e fashikullit të çështjes nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Seanca gjyqësore publike për vazhdimin e gjykimit të çështjes në themel do të zhvillohet në datën 17.04.2024, ora 10:00

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.