Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.04.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 1/2024, datë 09.01.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik dhe ankimit të ankuesit Besnik Maho kundër vendimit nr. 714, datë 15.11.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, pasi konstatoi mungesën në seancë të ankuesit Besnik Maho dhe sqaroi se Kolegji kishte ndjekur të gjithë rregullat proceduralë të njoftimit, kryesuesja bëri me dije se më datë 12.04.2024, nëpërmjet një e-mail-i drejtuar Kolegjit, z. Besnik Maho ka kërkuar shtyrje të seancës gjyqësore publike. Me arsyetimin se ndodhet jashtë vendit për arsye personale dhe familjare, ankuesi kërkoi nga Kolegji t’i jepet një kohë e arsyeshme, për të mbledhur prova dhe për t’i paraqitur ato në gjykimin e kësaj çështjeje.
Lidhur me këtë situatë faktike, Komisioneri Publik deklaroi se duhet të vijohet me shqyrtimin e çështjes, pasi nuk e sheh të mbështetur kërkesën e z. Besnik Maho për kohë shtesë për të mbledhur prova, duke qenë se debati gjyqësor i palëve do të mbështetet në argumente ligjorë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 07.05.2024, ora 10:00, për t’i dhënë mundësi ankuesit, z. Besnik Maho, të jetë i pranishëm në gjykimin e çështjes.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.