Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 17.03.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes me numër regjistri (JR) 42 – 17/ 2018, datë 11.04.2023, lidhur me kërkesën e ish – subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari për rishikimin e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019.

Në raport me rigjykimin e çështjes dhe vazhdimin e gjykimit të saj në themel Komisionerja Publike theksoi që shkaqet e paraqitura në ankimin e datës 29.8.2018 të Komisionerit Publik, kundër vendimit të Komisionit nr.42/2018, të bazuara në gjendjen e akteve në dosjen e hetimit administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mbeten të tilla, dhe pas administrimit të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), “Sevdari kundër Shqipërisë”. Në përmbyllje të paraqitjes së këtyre shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë dhe të aftësive profesionale, Komisionerja Publike kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 42, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të kërkueses Antoneta Sevdari.

Përfaqësuesja ligjore e kërkueses Antoneta Sevdari deklaroi se paraqitja e të njëjtave shkaqe ankimi me ato që çuan në shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, pa kryer një rivlerësim të tyre nën dritën e vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është një shmangie nga kjo vendimmarrje, sipas së cilës shkarkimi nga detyra i znj. Sevdari është joproporcional dhe në shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kërkuesja i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 42, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lidhur me konfirmimin e saj në detyrë.

Duke prapësuar qëndrimin e mbajtur nga kërkuesja, Komisionerja Publike theksoi fuqinë zbatuese të vendimit të GjENDNj-së dhe deklaroi se në këtë vendimmarrje nuk rrëzohen shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, por kërkohet të vlerësohet proporcionaliteti i masës së shkarkimit në raport me këto shkaqe ankimi, vlerësim të cilin do ta kryejë gjykata.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të administrojë aktet e fashikullit të dosjes të përcjella nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ku është bazuar vendimi nr. 42, datë 18.07.2018 i Komisionit. Me shumicë votash, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetim lidhur me një denoncim të trajtuar nga Komisionerja Publike.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Duke qene se Komisionerja Publike kërkoi kohë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore publike për në datën 23.04.2024, ora 12:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.