Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 12 prill 2019, seancën gjyqësore publike të radhës për çështjen (JR) nr.13/2018, datë 07.09.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr.32, datë 05.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Alma Brati.

Gjatë seancës së sotme gjyqësore, subjekti i rivlerësimit depozitoi pranë trupit gjykues akte të reja të dërguara nga të afërmit në Itali dhe akte të lëshuara nga autoritetet shtetërore shqiptare me kërkesë të saj, me qëllim justifikimin e burimit të ligjshëm të të ardhurave, të personave të lidhur me të.

Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi analizën financiare të kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke deklaruar se kjo analizë shkon përtej pretendimeve të ngritura në shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik.

Komisioneri Publik deklaroi se i qëndron shkaqeve të ankimit dhe paraqiti një denoncim të ri, në gjuhën italiane për rrethana që lidhen me persona të lidhur me subjektin e rivlerësimit, të cilin ia la në vlerësim trupit gjykues për ta marrë ose jo në konsideratë. Një material i ngjashëm i është dërguar në rrugë elektronike edhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Trupi gjykues vendosi:

– Të lejojë marrjen në cilësinë e provës të dokumenteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.

– Të caktojë një përkthyes nga lista e autorizuar e Ministrisë së Drejtësisë, për përkthimin e akteve të ardhura bashkëlidhur denoncimit dhe materialit të dërguar nga ONM-ja, pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Materiali i përkthyer do t’i vihet në dispozicion subjektit të rivlerësimit dhe Komisionerit Publik.

– Për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të shprehet lidhur me denoncimin, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 26.04.2019, ora 10:00.

Seanca do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.