Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 04.07.2024, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 71/2021, datë 17.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Sali Hasa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 433, datë 03.09.2021.
Kryesuesja e seancës bëri me dije se më datë 02.07.2024, subjekti i rivlerësimit kishte depozituar në Kolegj, në formën e kërkuar nga ligji, aktet që iu refuzuan të pranoheshin në cilësinë e provës nga trupi gjykues për shkak të mosplotësimit të kritereve formale, gjatë seancës së mëparshme, të datës 24.06.2024.
Trupi gjykues vendosi të pranonte në cilësinë e provës këto akte, si dhe disa akte të tjera që subjekti i rivlerësimit depozitoi gjatë seancës së sotme gjyqësore në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Me arsyetimin se në këtë proces, është subjekti i rivlerësimit ai që ka barrën e provës për të provuar ligjshmërinë e burimeve të të ardhurave të personave të tjerë të lidhur, trupi gjykues rrëzoi një kërkesë të subjektit të rivlerësimit, nëpërmjet së cilës i kërkonte Kolegjit të provonte rrethanat financiare të pretenduara të një personi tjetër të lidhur me të.
Pasi përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit deklaroi se nuk kishte kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe e ftoi atë në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të çështjes.
Përfundimisht, subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit ndryshimin ose prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 433, datë 03.09.2021, për shkak se e konsideronte të padrejtë këtë vendim dhe në shkelje të parimeve kushtetuese e ligjore.
Trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për të marrë vendimin përfundimtar të çështjes, të cilin do ta shpallë më datë 08.07.2024, ora 15:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.