Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 19.07.2024, ora 09:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 29/2021, datë 28.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati.

Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të seancës së datës 26.06.2024, Komisioneri Publik përcaktoi konkluzionet konkrete të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lidhur me zërat e analizës financiare që ai kundërshton, sikurse dhe efektin financiar që ato japin në vlerësimin përfundimtar të kësaj analize.

Gjatë prapësimeve të saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, deklaroi se konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë të drejta, të bazuara në legjislacionin e zbatueshëm dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021.

Lidhur me disa denoncime të ardhura në Kolegj, palët deklaruan se ato nuk përmbajnë rrethana apo fakte për hetime të mëtejshme. Trupi gjykues vendosi të mos ndërmarrë hetime të mëtejshme për denoncimet, pasi ato nuk përmbushin kërkesat e nenit 53, të ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor të çështjes dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Për shkak se Komisioneri Publik kërkoi kohë të arsyeshme për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 25.07.2024, ora 9:00.

Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.