Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 16.09.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 52/2023, datë 07.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 693, datë 10.08.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Saimir Hysa.
Gjatë paraqitjes së shkaqeve të ankimit, Komisioneri Publik deklaroi se subjekti i rivlerësimit nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me gjetjet e konstatuara prej tij lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, atë të pasurisë si dhe me një situatë të mundshme konflikti interesi gjatë ushtrimit të detyrës. Komisioneri Publik kërkoi që shkaqet e tij të ankimit të merren në konsideratë nga Kolegji, duke vendosur ndryshimin e vendimit nr. 693, datë 10.08.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.
Gjatë paraqitjes së prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, duke depozituar disa akte, të cilat trupi gjykues vendosi t’i pranojë në cilësinë e provës, pas çeljes së hetimit gjyqësor të çështjes. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 693, datë 10.08.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të vëzhguesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në funksion të shqyrtimit të çështjes, e pasi palët deklaruan se nuk kishin kërkesa procedurale shtesë, trupi gjykues vendosi mbylljen e hetimit gjyqësor dhe i ftoi ato në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.
Duke qenë se Komisioneri Publik kërkoi kohë të mjaftueshme për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për në datën 23.09.2024, ora 10:00.
Seanca publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.