Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, më datë 02.12.2024, ora 10:00, seancën gjyqësore publike të çështjes (JR) 35/2022, datë 25.07.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 537, datë 20.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Florian Bonjaku.
Pas konfirmimit nga palët për marrjen e parashtrimeve dhe denoncimeve të vëna në dispozicion nga Kolegji, Komisioneri Publik paraqiti shkaqet e ankimit për të trija kriteret e vlerësimit, duke vlerësuar se deklarimet e pasakta lidhur me kriterin e pasurisë, të metat e konstatuara gjatë kontrollit të kriterit të figurës dhe aftësive profesionale, duhet të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të të tria kritereve për subjektin e rivlerësimit, në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, sipas nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016.
Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit nr. 537, datë 2.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra e subjektit të rivlerësimit Florian Bonjaku.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit ligjor, kundërshtoi shkaqet e ankimit të lidhura me pasurinë, kontrollin e figurës dhe aftësive profesionale, si dhe dha shpjegime mbi çështjet e referuara në shkaqet e ankimit, duke pretenduar të kundërtën e tyre. Në përmbyllje të prapësimeve të tij, subjekti i rivlerësimit kërkoi konfirmimin në detyrë.
Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të mos çelë hetimin lidhur me denoncimet, pasi vlerësoi se nuk përmbajnë elementët e kërkuara nga neni 53, i ligjit 84/2016.
Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj disa pyetjeve të relatores së çështjes dhe vëzhguesit ndërkombëtar, në funksion të shqyrtimit të çështjes.
Në kushtet kur subjekti i rivlerësimit kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën për në datën 06.12.2024, ora 10:00.
Seanca gjyqësore publike do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, Tiranë.